26/09/2023
Tourism Grand Excellence - Çmimet e Turizmit Shqiptar
Edhe pak ditë nga Ceremonia e ndarjes së çmimeve të turizmit, ku Albanian Excellence dhe Travel Magazine - Balkans do të nderojnë aktorët më të rëndësishëm të fushës së turizmit në Shqipëri e ku përfaqësues të pothuajse të gjitha sektoreve, individë, sipërmarrje, organizata, institucione, destiancione, grupe interesi, do të ngjiten në skenën e Mbrëmjes Gala dhe do të tërheqin trofeun e akorduar për ta.
Do të jenë plot 22 trofe dhe shumë forma nderimi me certifikata e memoriale, që do të vlerësojnë këta emra të spikatur të sektorit të turizmit në hapësirën mbarëshqiptare.
Një grup ekspertësh të fushës ka përzgjedhur me kujdes çdo emër, që ai të përfaqësojë një kompleksitet vlerash e kontributesh në turizëm, qysh në momentin e parë të aktivitetit të tij e jo thjesht një emër në biznes.
Natyrisht nuk pretendojmë kurrë që të jemi absolutë në vlerësimet tona, sepse Shqipëria ka shumë më shumë se 22 subjekte apo emra që meritojnë vlerësimin maksimal në aktivitetin dhe performancën e tyre por jemi të sigurt, që këto 22 subjekte do ta kenë patjetër edhe vlerësimin e miratimin tuaj sepse janë përzgjedhur pikërisht mes këtij grupi të madh vlerash, si perfaqësues të kësaj industrie. Nuk pretendojmë as se jemi ne “certifikata” e cilësisë absolute porse duam të hedhim piketa në ngritjen e një sistemi vlerash, të nxisim shpirtin e garës pozitive dhe t’i orientojmë bizneset drejt cilësisë, si e vetmja rrugë që të çon tek turizmi i qëndrueshëm. Dhe pse jo, ashtu si Akademia “Oscars”, që askush nuk e di se si e pse filloi, edhe Tourism Grand Excellence Awards të kthehet një ditë në një “Akademi Oscars” në turizëm në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare.
Por për momentin, le të celebrojmë edicionin e parë me 30 Shtator 2023 në Hotel Plaza, pikërisht në përmbyllje të javës së turizmit!